Overblog
Editer l'article Suivre ce blog Administration + Créer mon blog

Ju flet Radio Tirana, Ju flet Radio Prishtina

Shpesh, kur më duhet të bëj një pushim dhe të pushoj, prirem ta injoroj këtë nevojë dhe të vazhdoj të ec përpara. Ndaj një ditë vere, me gjithë lodhjen time, vendosa të shkoj për vrap në pyllin e mrekullueshëm që vizatohet si një kurorë mbi qytetin e Lozanës në Zvicër. Në këtë pyll madhështor, me lartësi me afro 700 metra mbi nivelin e detit, qëndron një liqe i vogël artificial i ndërtuar në vitin 1891, i cili u ndërtua për të tërhequr sa më shumë turistë të huaj. Edhe sot ky liqen vazhdon të tërheqë shumë vizitorë, veçanërisht familjet me fëmijë të të gjitha moshave. Liqeni ndodhet mu në zemër të pyllit të dendur, i rrethuar nga një larmi pemësh, ku mbizotronjë lisa dhe gështenja, të cilët duket se luajnë rolin e rojtarit rreth e rrotull liqenit. Meqenëse prej shumë vjetësh e frekuentoj këtë vend, kam fituar përshtypen se ia njoh të gjitha sekretet, prandaj shpesh e konsideroj veten si udhërrëfyes i tij. Ndërsa nuk kisha mbaruar ende xhiron e parë të vrapit, veshtrimi im u ndesh  me një person ulur në ulëse dhe,  ndërsa i afrohesha, një zë i  njohur ngritej drejt meje. Pa ngadalësuar ritmin, vazhdova të vrapoj teksa dëgjoja transmetimin e drejtpërdrejtë të lajmeve nga Kuvendi i Kosovës. Hapat, megjithëse më të ngadaltë, ndjeva sikur mendja ime u lehtësua, duke më lejuar të zbres më thellë në mendimet e mia. Tash më dihet mirë se të mërguarit  janë të prirur për reflektim të përhershëm, të detyruar të përballojnë jetën në një tokë të huaj, ndërsa kërkojnë tokën amtare që lanë pas.

Pa u përfshirë në krahasime të dukshme, më vjen në mendje pyetja:  po të jesh një i ri në Kosovë, duke filluar udhëtimin e jetës në Kosovë, atëhere do të duhej të zhytesh në mënyrë të pashmangshme në reflektime të thella, të arrish të kombinosh artin e mbijetesës brenda një shoqërie me pabarazi të theksuara ekonomike dhe sociale, dhe aty për aty fillon të shqyrtosh pashmangërisht të gjitha mundësitë e arratisjes nga vendi.

Krahasimi me të rinjtë e Kosovë sikurse më shtyu të vazhdoj vrapimin në rrethin e dytë të liqenit, duke iu afruar përsëri burrit të ulur, i cili nuk vuri fare re praninë time, bile edhe as të shëtitësve të shumë. I shtangur, qëndronte  i zhytur tërësisht nën tingujt e radios. Në momentin kur iu afrova, hapat u ngadalësuan sikur të donin të ndalesha për të biseduar me bashkatdhetarin tim, i cili me koncentrim të madh po dëgjonte lajmet nga Kosova. Nuk e di pse, por në atë moment dëshira për të vazhduar të vrapojë m’u rrit edhe më shumë, ndërsa zëri i pandërprerë i radios më kapi dhe më bëri të fluturoj në mendime.

Zëri i radios më bëri të kthehem në fshatin tim, Shpat, dhe atë në periudhën paralufte në Kosovë. Fshati Shpat gjendet afër fshatit Runik, i njohur për trashëgiminë historike dhe kulturore, dhe është ndër fshatrat e rrallë të Kosovës që ka pasur një rritje të madhe të popullsisë pas luftës në Kosovë. Ndërsa vrapoja, mendimet më çuan në kohën kur pushimet verore nga Prishtina i kalonim në fshat, shpeshherë edhe me gjithë familjen. Fshati i vogël ka një përhapje gjysmëharku, ku janë vendosur tri lagjet e kushërinjve. Pamja piktoreske e fshatit shfaqet edhe më bukur kur lidhet me fillimin e Alpeve shqiptare. Në ato pamje, kujtoj babain tim, Metin, i cili me orë të tëra nën hijen e dardhës së vjetër shkruante. Gjithmonë e kisha vërejtur se fytyra e Metit nuk tregonte lodhje, por sytë e tij gjithnjë i shkëlqenin. Meti gjithmonë thoshte se nuk ndihej i lodhur, sepse kishte radio në shoqëri në të gjitha kohët. Valët e radio Tiranës dhe radio Kukësit e shoqëronin atë dhe i jepnin forcë, jo vetëm Metit, por edhe gjithë Drenicës dhe Kosovës. Kjo ishte një radio shprese, një radio që e mbante frymën shqiptare gjallë. Meti vazhdonte të shkruante në shqip me laps në dorë, edhe pse në majat e maleve përballë fshatit tonë ishte vendosur baza më e madhe raketore serbe, një bazë që kishte ndikim të madh në zonë, ndër të tjera te liqeni i Moknës, ku flamuri kombëtar tani valonte me krenari…

Nuk dua t’i largoj këto mendime të më çojnë në Shpat, por në të njëjtën kohë nuk dua të humbas rastin të shkëmbej disa fjalë me personin që po dëgjon radion në telefonin e tij buzë liqenit të Lozanës. I afrohem ngadalë dhe me një buzëqeshje i drejtohem: Edhe pse Kosova ka fituar pavarësinë, duket se ende shumë probleme e shoqërojnë. Personi, duke më shikuar me pak habitje, ngritet në këmbë dhe më shtron dorën duke më thënë: “Kosova mund të ketë probleme, por ku ka probleme, ka edhe zgjidhje. Jemi të lumtur që kemi Kosovën e pavarur; tani nuk dëgjojmë më për vuajtjet. Vuajtjet e tilla më kanë sjellë në Zvicër para 45 vitesh”.

Mësoj që bashkatdhetari im vjen nga fshati Skivjan i Gjakovës, i cili tani gjendet në pension. Bashkatdhetari im më tregon se çdo herë me zemër dhe shpirt është i lidhur me Kosovën dhe Shqipërinë, dhe nuk do të donte të kalonte asnjë ditë pa dëgjuar për atë që po ndodh në trojet shqiptare. Me një përshëndetje vëllazërore dhe duke shtisur duart, ndahemi, unë duke vazhduar të ec më tej nën tingujt e radios: “Ju flet Radio Tirana… Ju flet Radio Kukësi… Ju flet Radio Kosova e lirë, Ju flet Radio Prishtina… Ju flet Albradio e Diasporës…”

Partager cet article
Repost0
Pour être informé des derniers articles, inscrivez vous :