Overblog
Editer l'article Suivre ce blog Administration + Créer mon blog

Festë e madhe në Crissier të kantonit Vaud për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

«10 vjet pavarësi, me dekada të tëra përpjekje për liri», ishte motoja e manifestimit që u mbajt më 18 shkurt 2018 në sallën e spektakleve «Chizat», në Crissier të kantonit Vaud.

Në suksesin e para 10 vjetëve, kur mbi 13’000 manifestues në Lozanë festuan për shpalljen e pavarësisë të Kosovës, dhe duke ndjekur këtë përvojë, shoqatat shqiptare në kantonin Vaud: «Ardhmëria», shoqata «Dona», shoqata «SHIKO», shoqata kulturore-artistike «Ilirët», shoqata kulturore- artistike «Teuta», Albinfo.ch dhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë u bashkuan për t’i dhënë edhe më shumë forcë festës jubilare të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovë.

 

Ishte e vogël salla e spektakleve për t’i zënë të gjithë të pranishmit që kishin ardhur jo vetëm nga qendrat e kantonit Vaud, po edhe nga kantonet e tjera.

Mbi 700 persona të pranishëm patën rastin të marrin pjesë në manifestimin jubilar për pavarësinë e Kosovës.
Programi i manifestimit u hap me intonimin e himnit kombëtar dhe shtetëror të Kosovës, për t’u lënë vend pastaj përshëndetjeve nga ana e përfaqësuesit shtetëror të Kosovës, përfaqësuesit të strukturave komunale e kantonale.
Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Gjenevë, zoti Ramadan Avdiu, përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi njëherësh shoqatat për organizimin. Zoti Avidu bëri një retrospektivë të pavarësisë së Kosovës, luftës për liri dhe çlirimin e saj.

Presidenti i Këshillit Kantonal të Kantonit të Vaudit, zoti Pierre- Yves Maillard, u ndal në dinamikën dhe forcën e komunitetit shqiptar, duke ilustruar afërsinë me komunitetin mori shembull miqësinë e djalit të tij me shokët e klasës dhe të sportit, të gjithë me origjinë nga Kosova!

Përfaqësuesja e Komunës të Crissier, zonja Nathalie Jaton, gjithashtu foli për rëndësinë e integrimit të komunitetit shqiptar dhe falënderoi shoqatën «Ardhmëria» për punën që bën për të gjitha komunitetet në komunë.
Kryetari i Komunës të Renenes, zoti Jean-François Clément, u ndal në sferat e jetës ku ka takuar shqiptarët dhe që ndien kënaqësi të madhe të marrë pjesë në festë të pavarësisë së Kosovës.
Deputeti në qytetin e Lozanës, zoti Musa Kamenica, i dha rëndësi festimit, duke pasur parasysh që në manifestime të tilla nuk ka vend për debate e për analiza.

 

Në emër të Shoqatës së studentëve shqiptarë të Universitetit të Lozanës, të pranishmit i përshëndeti zoti Arber Gashi.
Në pjesën kulturore-muzikore, me program të zgjedhur u prezantuan ansamblet muzikore, tani të njohura për publikun, grupet «Ilirët» dhe «Teuta» që i kënduan flamurit kombëtar, i kënduan luftës të lavdishme të UÇK-së, heronjve, diasporës dhe dashurisë. Ishte kënaqësi të shikoje në këto grupe mozaikun e kostumeve kombëtare, të ndiesh melosin e ndryshëm muzikor dhe praninë e shumtë të të rinjve në këto grupe që tregon se kënga dhe kultura shqiptare ka ardhmëri të ndritur në diasporë. Grupet muzikore u ndanë me publikun duke marrë shumë duartrokitje nga të pranishmit. Manifestimin e vazhdoi shoqata «Dona» që kishte përgatitur një program të bukur recitues edhe për fëmijë, të cilët ishin gjithashtu shumë të pranishëm.

Programi artistik përfundoi me muzikë të paraqitur nga DJ Muli, ku shumë të rinj i dhanë festës karakter festiv, duke kërcyer e duke përjetuar momente të bukura.

Të pranishmit patën mundësinë të shikonin ekspozitën e fotografive mbi manifestimin madhështor të mbajtur në Lozanë para 10 vjetëve. Disa prej tyre shkruan në librin e përshtypjeve.

Vlen të ceket puna e mrekullueshme që bëri zoti Visar Qusaj i teatrit «Kurora» të Nyonit, moderator i mbrëmjes që me përvojën e vet teatrale dhe tematike bëri që të pranishmit, qoftë zviceranë apo shqiptarë, të ndiejnë karakterin festiv të manifestimit.
Ky organizim na tregon që NE, Diaspora, mund ta ndihmojmë edhe më shumë Kosovën nëse së pari jemi të organizuar këtu në Zvicër.
Organizimi në nivel lokal dhe në atë në shoqata të ndryshme është formë më e mirë e përgjigjes që mund t’u japim kërkesave të komunitetit shqiptar që jeton në Zvicër.

E falë këtij organizimi shoqatat shqiptare mundësuan me punën e tyre që të organizojmë këtë manifestim jubilar dhe shpresojmë që do të kemi edhe më shumë arsye dhe më shumë përkrahje që gjithmonë të festojmë për Kosovën tonë.

Partager cet article
Repost0
Pour être informé des derniers articles, inscrivez vous :